Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke denoncuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve gjyqësore.
Sipas kallëzimit, çështja lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore të administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku figuron një nënshkrim në emër të Erion Veliajt, sikur ai të ishte njoftuar personalisht për një vendim gjyqësor. Veliaj pretendon se ky nënshkrim nuk është i tij dhe se dokumenti është i falsifikuar.
Në kallëzim theksohet se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur. Ky fakt, sipas tij, është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë IEVP Durrës.
Veliaj argumenton se mungesa e një njoftimi real, e shoqëruar me ekzistencën e një dëftese me nënshkrim jo autentik, përbën provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit gjyqësor, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.
Sipas kallëzimit penal, kjo situatë cenon të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar, sipas tij, humbjen e së drejtës së rekursit përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.
Në kërkesën drejtuar prokurorisë, Veliaj kërkon regjistrimin e menjëhershëm të procedimit penal, kryerjen e një ekspertimi grafik të nënshkrimit, hetimin e të gjithë zinxhirit të personave që kanë hartuar, administruar ose përdorur dokumentin, si dhe verifikimin e çdo vepre tjetër penale që mund të dalë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.
Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar edhe Gjykatës së Lartë, si provë se, sipas Veliajt, afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm.