Një gjykatë sportive në Spanjë ka hapur procedim disiplinor ndaj presidentit të La Liga-s, Javier Tebas, pas akuzave për shkelje të konfidencialitetit në lidhje me klubin e Barcelonës.
Hetimi lidhet me një publikim të bërë më 2 prill, në faqen zyrtare të ligës spanjolle, ku u publikuan të dhëna financiare konfidenciale për projektin e rikonstruksionit të stadiumit “Camp Nou”. Në atë postim, La Liga zbulonte se Barcelona nuk kishte regjistruar rreth 100 milionë euro të ardhura nga shitja e vendeve VIP, duke shkelur rregullat financiare të kompeticionit.
Edhe pse informacioni u hoq më vonë nga faqja zyrtare, ai tashmë ishte bërë publik dhe kishte shkaktuar pakënaqësi të mëdha në radhët e klubit katalanas. Si pasojë, gjykata ka hapur një hetim disiplinor ndaj Tebasit, i cili përballet me pesë akuza të rënda për shkelje të natyrës profesionale dhe etike.
Nëse shpallet fajtor, sanksionet ndaj tij mund të shkojnë nga një vërejtje publike deri te pezullimi nga detyra si president i La Liga-s. Procesi është ende në zhvillim, ndërsa priten konkluzionet përfundimtare të autoriteteve sportive spanjolle.


