Presidenti Begaj për ndarjen nga jeta të Baba Hekuran Nikollarit: Frymëzim për komunitetin bektashi

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Baba Hekuran Nikollarit, një prej figurave të rëndësishme të komunitetit bektashi në Shqipëri.

Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i shtetit vlerësoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ringritjen e Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan, e cila u rikthye në një qendër shpirtërore falë përkushtimit dhe punës së tij.

“Mësova me dhimbje kalimin nga kjo jetë të Baba Hekuran Nikollarit, klerikut që vazhdoi veprën e Baba Aliut, duke shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për komunitetin bektashi të qarkut të Gjirokastrës e më gjerë,” shkroi Begaj.

Ai theksoi se Baba Hekurani e riktheu këtë vend të shenjtë në një simbol të vlerave shqiptare, një monument të qetësisë, dashurisë dhe ndihmës për të pamundurit.

Me përkushtimin e tij ndaj besimtarëve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar, Baba Hekuran Nikollari u bë një figurë kyçe në përhapjen e harmonisë fetare dhe forcimin e vlerave bektashiane.

Presidenti Begaj shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjen e të ndjerit, komunitetin bektashi dhe të gjithë besimtarët që e kanë njohur dhe vlerësuar atë.

“I bashkohem lutjeve për prehjen në paqe të shpirtit të Baba Hekuran Nikollarit,” përfundoi kreu i shtetit në mesazhin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera