Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar dy nismat e njohura si ligjet e “Paqes fiskale”, duke i hapur rrugë zbatimit të tyre pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Bëhet fjalë për ligjin e fshirjes së detyrimeve tatimore dhe doganore, si dhe ligjin për marrëveshjen fiskale.
Dekretimi vjen pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të biznesit, të cilët kanë paralajmëruar se këto ligje cenojnë qëndrueshmërinë fiskale, nxisin evazionin dhe dëmtojnë konkurrencën në treg.
Sipas parashikimeve, ligji u mundëson bizneseve faljen e mbi 2 miliardë eurove gjoba dhe kamatëvonesa për detyrime të papaguara prej 5 deri në 10 vitesh. Gjithashtu, subjektet përfituese mund të rregullojnë pasqyrat e vjetra financiare dhe të lidhin një marrëveshje për vitin pasardhës, duke deklaruar një fitim të paktën 18 për qind më të lartë se ai aktual dhe duke paguar një tatim prej 5 për qind. Në këmbim, parashikohet mungesa e kontrolleve tatimore gjatë periudhës së marrëveshjes.
Këto masa janë kundërshtuar nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe dhomat e huaja të tregtisë, të cilat kanë theksuar se për një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, lufta kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal duhet të jetë prioritet dhe se një ndërhyrje e tillë bie ndesh me këto objektiva.
Nga Paqja fiskale pritet të përfitojnë mbi 207 mijë biznese debitore, ndërsa zbatimi do të nisë pas miratimit dhe publikimit të akteve nënligjore përkatëse.
Presidenti Begaj ka dekretuar gjithashtu edhe pesë ligje të tjera të paketës fiskale që shoqërojnë buxhetin e vitit 2026, përfshirë ligjin për sistemin e taksave vendore, procedurat tatimore, faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, si dhe ndryshimet në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në dhe rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Nga kjo paketë, deri tani vetëm ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka një skemë të qartë zbatimi.