Premierë absolute në teatrin “Bylis”, duartrokitje për shfaqjen “Metoda Grönholm”

Në teatrin “Bylis” është pritur me duartrokitje të forta premiera absolute e shfaqjes “Metoda Grönholm”, e vënë në skenë mbrëmjen e së hënës, me regji të Viktor Zhustit dhe Dritan Boricit.

Shfaqja solli një interpretim dinamik dhe të harmonizuar nga një kast aktorësh të njohur, ku Luli Bitri, Dritan Borici, Artan Islami dhe Klajdi Marku ndërtuan një dialog të gjallë dhe komunikues, duke përfshirë aktivisht publikun. Loja e tyre u karakterizua nga ritëm, tension psikologjik dhe situata të papritura, që mbajtën vëmendjen e sallës nga fillimi deri në fund.

“Metoda Grönholm” sjell në qendër katër kandidatë, një dhomë dhe një vend pune, duke ngritur pyetje thelbësore mbi kufirin mes moralit dhe lojës. Në një skenografi të qëndrueshme, ndjenjat dhe mendimet e personazheve zhvillohen përmes provave psikologjike, ku secili përpiqet të dalë fitues në një garë të ashpër dhe shpesh të pamëshirshme.

Vepra, me autor Jordi Galceran, është një komedi e zezë që ka njohur sukses të madh në skenat europiane. Ajo trajton konkurrencën, ambicien dhe pranimin e ndryshueshmërisë, pa paragjykime, duke vendosur përballë njëri-tjetrit katër individë në një test ekstrem për një vend pune, ku në thelb kandidati është vetëm një, por përballja me rivalët e shtyn atë drejt sjelljeve të paskrupullta.

Vetë aktorët Dritan Borici dhe Artan Islami janë shprehur se shfaqja reflekton elementë të fortë të realitetit bashkëkohor, duke e bërë atë të afërt dhe goditëse për publikun. E cilësuar si një përballje psikologjike intensive, plot tension, ironi dhe kthesa të forta, “Metoda Grönholm” vlerësohet si një shfaqje që lë gjurmë te spektatori.

Pas premierës në Fier, shfaqja pritet të vijojë rrugëtimin e saj artistik edhe për publikun në Tiranë dhe Vlorë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033