Premiera e monodramës “Çdo gjë e shkëlqyer” në Teatrin Bylis u prit me shumë entuziazëm nga publiku fierak. Nën interpretimin e fuqishëm dhe emocional të aktorit Ledio Lako dhe regjinë e Altin Bashës, shfaqja solli një histori të ndjerë mbi dashurinë, depresionin dhe gëzimet e vogla që i japin kuptim jetës.
Rrëfimi ndjek një djalë që, pas tentativës për vetëvrasje të nënës, nis të krijojë një listë me “gjëra të shkëlqyera” për të gjetur shpresë dhe për të kapur anën e bukur të jetës. Përmes humorit, ndërveprimit me publikun dhe sinqeritetit të personazhit, shfaqja tregon rritjen e tij emocionale, përballjen me plagët e së kaluarës dhe mesazhin se shpesh drita fshihet te gjërat më të thjeshta të përditshmërisë.


