Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka marrë pjesë në seancën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke vlerësuar klimën e debatit dhe bashkëpunimin institucional.
Në një reagim publik, ai bëri të ditur se para seancës kishte zhvilluar takime me Kryetaren e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, si dhe me nënkryetarin e opozitës, Dorian Teliti, ku kishte dëgjuar sugjerimet dhe vërejtjet për përmirësimin e mbarëvajtjes së punimeve.
Sipas Hajdarit, seanca u zhvillua në një klimë përgjithësisht normale debati, me respektim të procedurave ligjore dhe rregullores së Këshillit Bashkiak.
Ai theksoi se dialogu institucional dhe respektimi i rregullave janë thelbësore për funksionimin e shëndetshëm të organeve vendimmarrëse dhe për shërbimin ndaj qytetarëve.
Prefekti deklaroi se do të vijojë të ushtrojë rolin kushtetues të mbikëqyrjes së ligjshmërisë, në funksion të transparencës, bashkëpunimit dhe interesit publik.