Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka raportuar sot për veprimtarinë e institucionit dhe projektbuxhetin e vitit 2026, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ngriti çështjen e komoditeteve të personave të dënuar që vijnë nga politika, të cilët vuajnë dënimin në burgun e Durrësit.
“Kam informacion që në burgun e Durrësit, ku janë VIP-at e politikës, ka pasur ndërhyrje nga jashtë për rritje komoditeti në qelitë e tyre. Janë futur ustallarë, marangozë, kuzhinierë, krevate më të mirë. Kanë ndërhyrë për ta bërë si dhomë hoteli”, është shprehur Kapri.
Por Qose ka mohuar kategorikisht ekzagjerimet, duke theksuar se çdo gjë është brenda standardeve të lejuara.
“Më përmendët komoditetin. Drejtoria e Përgjithshme për zyrtarët që nuk kanë kryer vepra të rënda penale ka akomoduar në IEVP Durrës dhe IEVP Fier pjesën më të madhe të zyrtarëve. Nuk mund të them që ka komoditete ekstra. Mobiliet, televizorët, krevatet dhe dyshekët janë brenda standardeve të miratuara”, tha Qose.
Në vijim, deputeti Kapri ngriti një tjetër çështje: ushqimin e të dënuarve.
“Ju harxhoni shumë para për ushqime në burgje. Mbi 90% i marrin nga familjarët?”, pyeti ai.
Drejtori Qose sqaroi se sistemi penitenciar zbaton detyrimet ligjore, por një pjesë e të burgosurve refuzojnë ushqimin zyrtar për arsye sigurie, jo cilësie.
“Sistemi i burgjeve ka detyrim ligjor të garantojë 3 vakte ushqim në ditë për çdo të dënuar. Nuk kemi bazë ligjore t’i detyrojmë të hanë me zor. Ka një refuzim rreth 20%, por jo për shkak të ushqimit. Ka të bëjë me konfliktet jashtë, hakmarrjet, gjakmarrjet apo përplasjet mes grupeve kriminale. Për këtë arsye lejohet që familjarët të sjellin ushqim—është pjesë e procesit të rehabilitimit”, deklaroi Qose.


