Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Green flat” në Sarandë, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë hyrë në një apartament të përshtatur posaçërisht për këtë veprimtari kriminale.
Nga kontrolli në banesë janë sekuestruar 260 bimë narkotike, 26.6 kilogramë lëndë narkotike kanabis, si edhe pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e bimëve me qëllim shitjen.
Në flagrancë është arrestuar 30-vjeçari Enea Pitani, i cili u kap në apartamentin e kthyer në ambient kultivimi. Policia ka identifikuar gjithashtu një bashkëpunëtor të dyshuar, shtetasin Mikele Qamil, i cili është shpallur në kërkim.
Në kuadër të hetimeve, janë proceduar penalisht edhe katër punonjës të OSHEE Sarandë, të dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me aktivitetin e paligjshëm. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.