Hetimet për atentatin në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos agjenti i AMP-së Muçi Shaljani, po përqendrohen në kamerat e sigurisë dhe gjurmët e automjetit të autorëve.
Ngjarja tronditëse ndodhi pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, duke alarmuar strukturat e sigurisë dhe hetimit. Policia ka nisur një hetim të gjerë për të zbardhur autorët dhe motivet që çuan në ekzekutimin e Gilmando Danit dhe plagosjen e rëndë të agjentit të AMP-së, Muçi Shaljani Sheqeri.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë sekuestruar dhe po analizohen pamjet filmike të bizneseve përreth dhe të vetë aeroportit. Qëllimi është identifikimi i personave që mund të kenë ndihmuar autorët, duke u ofruar informacion mbi lëvizjet e viktimave.
Sipas të dhënave paraprake, autorët e atentatit kanë qenë të pozicionuar brenda një automjeti tip “Toyota”, i cili qëndronte i ndalur në rrethrrotullimin kryesor pranë aeroportit. Ata kanë pritur momentin kur Dani dhe Shaljani dolën nga terminali për të kryer goditjen.
Hetuesit po verifikojnë çdo automjet që është parë disa herë pranë portës së daljes së aeroportit, si dhe personat që kanë qëndruar në zonë për periudha të gjata, për t’u larguar menjëherë pas atentatit. Çdo lëvizje po analizohen për të ndërtuar kronologjinë e saktë të ngjarjes.
Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe mundësisë që autorët të kenë pasur bashkëpunëtorë që i kanë ndihmuar me informacion, ndjekje në distancë apo komunikim përmes telefonit. Për këtë arsye, policia ka kërkuar analizimin e të dhënave të qelizave telefonike në zonë për orët para dhe pas ngjarjes.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje disa dëshmitarë, përfshirë punonjës të bizneseve pranë aeroportit dhe drejtues mjetesh që mund të kenë parë automjetin e dyshuar. Deri më tani, pistat kryesore të hetimit lidhen me konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur viktima.
Për momentin, policia nuk ka bërë publik asnjë emër të dyshuar, por burime nga terreni konfirmojnë se hetimet po zhvillohen në disa drejtime paralelisht, përfshirë edhe analiza të gjurmëve balistike dhe ADN-së së gjetur në vendngjarje.
Ngjarja në Rinas ka rikthyer shqetësimin për sigurinë pranë zonave me rëndësi kombëtare dhe pritet që rezultatet e hetimit të jenë vendimtare për zbardhjen e këtij atentati të organizuar me profesionalizëm.


