Policia kontrollon banesat e të dyshuarve si vrasës me pagesë armë dhe municion në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë

Policia ka kryer kontrolle në banesat e tre shtetasve të arrestuar dy ditë më parë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë. Gjatë operacioneve janë sekuestruar armë dhe sasi të konsiderueshme municioni në disa qytete të vendit.

Në Labovë të Kryqit në Gjirokastër, në banesën e Dhimitër Meçit, dyzet e pesë vjeç, u gjetën dy automatikë kallashnikov dhe një armë zjarri automatike, të dyshuara si të trafikuara, si edhe qindra fishekë të llojeve të ndryshme.

Në total, policia sekuestroi tre armë zjarri automatike, dyqind fishekë kallashnikovi, tetëmbëdhjetë pako me fishekë pistolete dhe pesë krehra. Të gjitha armët do t’i nënshtrohen ekspertimit teknik në Institutin e Policisë Shkencore.

Autoritetet po hetojnë në mënyrë të thelluar aktivitetin e të dyshuarve Dhimitër Meçi nga Labova e Kryqit, Andrea Brokeri tridhjetë e dy vjeç nga Kudhësi i Himarës, Fatjon Prendi tridhjetë e nëntë vjeç nga Lezha dhe Petro Theohari tridhjetë e një vjeç nga Muzina e Sarandës. Të katër po hetohen si pjesë e një rrjeti të vrasjeve me pagesë.

Hetimet po zhvillohen nga strukturat e Policisë Kriminale dhe drejtoritë vendore të Gjirokastrës, Vlorës dhe Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe autoritetet greke.

Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për akuzat trafikim armësh dhe municioni, si edhe mbajtje dhe prodhim të armëve pa leje.

Ndaj Postimin: