Policia gjermane ndalon dy persona me më shumë se 400 kg kokainë në Hamburg

Më shumë se 400 kilogramë kokainë u sekuestruan në portin e Hamburgut, ku dy persona u arrestuan pas një operacioni të shpejtë të doganës gjermane.

Policia dhe dogana gjermane goditën një nga rastet më të mëdha të trafikut të drogës të këtij viti, duke sekuestruar mbi 400 kilogramë kokainë në portin e Hamburgut. Arrestimet ndodhën pas një sinjalizimi nga punëtorët e portit që vunë re lëvizje të dyshimta.

Incidenti u regjistrua rreth orës 13:00 me orën lokale, në terminalin e kontejnerëve O’Swaldkai. Dy persona u panë duke zbritur nga një anije me mbi 20 çanta sportive në duar, gjë që ngriti dyshime tek punëtorët.

Punëtorët, të cilët nuk i njihnin individët si punonjës të portit, njoftuan menjëherë oficerët e doganës. Autoritetet ndërhynë dhe bllokuan automjetin me të cilin dyshoheshin se po përpiqeshin të largoheshin.

Njëri nga të dyshuarit u arratis, por pas një alarmi të madh dhe një operacioni me helikopter, ai u kap disa orë më vonë. Ndërkohë, personi tjetër u arrestua menjëherë në vendngjarje.

Kontrolli i automjetit zbuloi mbi 20 çanta sportive në bagazh, të mbushura me 400 kilogramë kokainë. Një zëdhënës i doganës konfirmoi më pas se droga ishte e paketuar në sasi të konsiderueshme, gati për shpërndarje.

Hamburgu është një nga portet kryesore për hyrjen e kokainës në Evropë, pas Roterdamit dhe Antverpit. Çdo ditë, mbi 23 mijë kontejnerë kalojnë nga ky port, duke e bërë një pikë kyçe për trafikantët ndërkombëtarë.

Kreu i Policisë Kriminale Federale të Gjermanisë, Holger Münch, ka paralajmëruar këtë vit për një “valë kokainë” që po përfshin vendin. Ai theksoi se tregtia e drogës është zhvendosur më shumë drejt Evropës për shkak të ngopjes së tregut në Amerikën e Veriut.

Në të njëjtën linjë, kryeministri belg Bart de Wever ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për të përballuar rrjetet ndërkombëtare të trafikut, duke nënvizuar se Evropa është bërë shënjestër kryesore për kartelët e drogës.

Ndaj Postimin: