Një tjetër operacion i suksesshëm për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht nga Policia e Shtetit
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale vijon me sukses operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Këtë herë, operacioni i koduar “Operacionalja 37” ka sjellë finalizimin e një operacioni të madh në Tiranë. Ky aksion është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST ALBANIA dhe Rrjetit Evropian të Forcave të Policisë (ENFAST), si dhe mbështetjes nga inteligjenca policore.
Në kuadër të këtij operacioni, është kapur një shtetas 45-vjeçar nga Tirana, G. B, i njohur edhe si E. P, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ky individ është i kërkuar nga Gjykata e Apelit në Napoli, Itali, për veprat penale “Grup Kriminal”, “Trafikim narkotikësh” dhe “Falsifikim dokumentash”. Autoritetet italiane kishin lëshuar një urdhër-arresti për të, duke kërkuar ekstradimin e tij për t’u gjykuar për këto akuza të rënda.
Arrestimi i tij është bërë në qytetin e Tiranës, ku pas një periudhe monitorimi dhe hetimi të kujdesshëm, u lokalizua dhe u arrestua me qëllim ekstradimi në Itali. Operacioni ka treguar edhe një herë angazhimin e policisë shqiptare për të luftuar krimin ndërkombëtar dhe për të bashkëpunuar ngushtë me forcat e rendit në shtetet e tjera për kapjen e personave të kërkuar.
Interpol Tirana vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Interpol Romën për përfundimin e procedurave të ekstradimit dhe dërgimin e 45-vjeçarit në Itali për t’u gjykuar për akuzat ndaj tij. Ky operacion është një tjetër hap drejt përforcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe luftës kundër krimit të organizuar.