Baba Hekuran Nikollari është gjetur i pajetë mbrëmjen e së dielës në ambientet e Teqesë së Alipostivanit, në moshën 61-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar nga Komisariati i Policisë së Përmetit, i cili ka bërë njoftimin zyrtar për këtë ngjarje.
Sipas të dhënave të para nga Policia, trupi i klerikut bektashi u gjet rreth orës 22:00 dhe nuk u konstatuan shenja dhune. Paraprakisht, dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Në njoftimin zyrtar, Policia ka bërë të ditur se pritet përfundimi i ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të ndarjes nga jeta të Baba Hekuran Nikollarit.
Ngjarja ka sjellë reagime të shumta nga komuniteti bektashi dhe besimtarët, të cilët e kanë vlerësuar Baba Hekuranin si një figurë të përkushtuar dhe një udhërrëfyes shpirtëror për zonën e Përmetit dhe më gjerë.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.