Një 57-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Bulgarec të Korçës, pasi kishte përshtatur lokalin e tij për organizimin e lojërave të paligjshme të fatit dhe për shitje e konsum të lëndëve narkotike të llojit kokainë.
Gjatë operacionit policor të koduar “Organizatori”, u proceduan penalisht gjithashtu 14 persona për veprën penale “moskallëzim krimi” dhe 3 persona të tjerë për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi tentuan të fshehin provat gjatë ndërhyrjes së Policisë.
Në hetim penal është përfshirë edhe një punonjës policie, i cili ndodhej në ambientet e lokalit dhe nuk ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ushtrimi i funksionit të tij. Paralelisht ndaj tij ka nisur edhe hetimi disiplinor nga strukturat përkatëse.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Operacionale “Shqiponjat”, Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Korçë–Elbasan, në kuadër të planit të posaçëm për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Si rezultat i kontrolleve, u arrestua shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar për veprat penale “organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në lokalin e tij, Policia konstatoi se ambienti ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge. Në banak u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, ndërsa nga këqyrja e celularit të të arrestuarit rezultuan faqe aktive për baste sportive.
Gjatë ndërhyrjes policore, tre persona tentuan të fshehin provat dhe për këtë arsye ndaj tyre nisi procedimi penal për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndërkohë, 14 persona të tjerë, të pranishëm në lokal, u proceduan për “moskallëzim krimi”, pasi kishin dijeni për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme dhe nuk e kallëzuan atë.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 14 doza kokainë, një sasi monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke, një automjet, 8 telefona celularë, si edhe letra bixhozi dhe çipsa që shërbenin për ushtrimin e lojërave të fatit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.