Poeti Niko Gjirici ka nisur një protestë para kryeministrisë, duke kërkuar drejtësi për çështjen e tij.
Ai shprehet i dëshpëruar nga korrupsioni i thellë që, sipas tij, vazhdon të mbizotërojë në drejtësinë shqiptare. “Unë jam poet dhe shkrimtar. Kam botuar nëntë libra, por prej 25 vitesh detyrohem të jetoj me qira e të fle në hotele sepse shtëpia ime është marrë në mënyrë të padrejtë,” thotë ai.
Niko pretendon se shtëpia e tij është përvetësuar nga dikush tjetër, i cili ka lidhje me aparatin shtetëror. Ai akuzon se kjo është bërë me falsifikim të firmës së tij dhe me ndihmën e disa zyrtarëve të përfshirë në sistemin e drejtësisë. Gjirici thotë se ka kërkuar ndihmë nga organet e shtetit, por situata mbetet e pazgjidhur.
Poeti thotë se gjykata e shkallës së parë në Tiranë ka marrë vendim në favor të personit që e ka përvetësuar shtëpinë. Sipas tij, ky vendim është një tjetër shembull i padrejtësisë që përjetojnë qytetarët pa lidhje apo pushtet në vend.
Kronikë TV Apollon
Së fundmi, gjyqtari Sokol Pina ka marrë një vendim në datën 21 të muajit të kaluar, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Kjo ka shkaktuar zhgënjim të madh tek poeti, i cili besonte se do të kishte një drejtësi më të drejtë dhe të pavarur në instancat më të larta.
Niko akuzon se ekspertët që kanë mbështetur këtë vendim janë të përfshirë në aktivitete korruptive, madje disa prej tyre janë edhe në burg. Megjithatë, këta vendime të dyshimta kanë vazhduar të mbajnë në fuqi padrejtësinë që ai përjeton.
Me protestën e tij, poeti kërkon që të sensibilizojë autoritetet dhe publikun për rastin e tij, duke shpresuar se dikush do të ndërhyjë për t’i dhënë fund këtij problemi të gjatë.
Për Niko Gjiricin, kjo nuk është vetëm një çështje personale, por një betejë për drejtësinë dhe për të drejtat e qytetarëve të thjeshtë, të cilët, sipas tij, shpesh janë viktima të një sistemi të korruptuar.