Po zhvillohet Panairi i Librit i organizuar nga dega e Shoqatës së Lushnjes.

Në sheshin para Muzeut të Qytetit të Lushnjes, po zhvillohet Panairi i Librit i organizuar nga dega e Shoqatës së Lushnjes, ku marrin pjesë disa autorë vendas.

Edhe pse është një mundësi për të promovuar librin dhe kulturën e leximit, pjesëmarrja ka rezultuar e ulët në prezantimin e librave.

Aktiviteti është gjallëruar në mbrëmje nga performancat e fëmijëve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, të cilët kanë kënduar dhe kërcyer për të pranishmit, duke sjellë një atmosferë të gjallë dhe të këndshme.

Qytetarët lushnjarë janë mbledhur për të ndjekur performancat e vogëlushëve, të cilët kanë tërhequr vëmendjen dhe duartrokitjet e të gjithëve me energjinë e tyre pozitive.

Megjithatë, libri duket se mbetet në plan të dytë në këtë event kulturor, ku tërheqja kryesore është bërë pikërisht nga programi i organizuar për fëmijët dhe artistët e rinj.

Kjo është edicioni i gjashtë i Panairit të Librit në Lushnje, por ende duket se qytetarët nuk janë tërhequr mjaftueshëm për të marrë pjesë aktive në promovimin e librit dhe leximit.

Nga Lushnja, gazetari Ndriçim Gjoshi, raporton për zhvillimet dhe atmosferën që ka mbizotëruar në këtë aktivitet të datës 11 nëntor 2024.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera