Po i jep drejtim Vlorës. Asnjë minutë pushim. Nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në mbrëmje vonë, Bruna Mersini, kryebashkiakja e re e qytetit bregdetar, duket se planet i ka pasur të qarta para se të merrte detyrën.
Është e veçantë të shohësh sesi fadromat e pastrimit të qytetit kanë shkuar në çdo rrugicë e lagje, në vende publike ose private të braktisura, për të bërë gjënë më të thjeshtë të një qyteti dikur të përgjumur: pastrimin.
Të gjitha këto resurse aty kanë qenë. Paska qenë e nevojshme pak vullnet për të ndryshuar gjërat.
Bruna Mersini u zgjodh kryetare e Bashkisë së Vlorës me pjesëmarrjen më të ulët në votim, 12 për qind, në nëntorin që sapo kaloi. Por ndoshta vlonjatët tani, që shohin punën në terren të kryebashkiakes së re, mund të ndihen paksa në mungesë konforti se pse nuk dolën atë mëngjes të dielë për të votuar.
Tani Brunilda është në terren. Në videot që postohen në faqen e saj në rrjete sociale ka me dhjetëra komente dhe pafund falënderime, për punë që duhet të ishin bërë shumë më parë dhe që tani duket se po u jepet zgjidhje.