Një incident i tensionuar është shënuar pak ditë më parë në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, gjatë zhvillimit të procedurës së ankandit për dhënien në përdorim të objekteve të Marinës në Porto Palermo, në Bashkinë Himarë.
Sipas dëshmive të punonjësve të institucionit, një biznesmen është përfshirë në një konflikt fizik me një anëtar të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pasi ka ngritur dyshime për ndërhyrje në proces, manipulim të kritereve dhe favorizim të një ofertuesi tjetër që, sipas pretendimeve, nuk përmbushte kriteret e përcaktuara për pjesëmarrje.
Paralelisht me incidentin, një tjetër biznesmen ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore, duke depozituar një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në kallëzim përmenden dyshime për “shpërdorim detyre”, “manipulim ankandi” dhe “shkelje të barazisë në procedurat publike”.
Padia është drejtuar ndaj anëtarëve të Komisionit të Ankandit që operon pranë ministrisë, ndaj punonjëses së protokollit, si dhe ndaj çdo personi tjetër që mund të rezultojë i përfshirë gjatë hetimit.
Sipas dokumentit të kallëzimit, kërkohet hetim për disa vepra penale, mes tyre “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal), “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” (neni 258), si dhe falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të parregullta në rast se provohet manipulim me zarfet e ofertave.
Ngjarja lidhet me ankandin e zhvilluar më 24 shkurt 2026 në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, për administrimin e objekteve të Marinës në Porto Palermo.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ofertat me zarf të mbyllur duhej të dorëzoheshin pranë Komisionit të Ankandit në momentin e zhvillimit të procedurës, konkretisht në orën 10:00.
Megjithatë, sipas pretendimeve të kallëzuesve, përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë janë paraqitur në institucion rreth orës 09:15 për të dorëzuar ofertat, por janë udhëzuar nga punonjësja e protokollit që zarfet të depozitoheshin fillimisht në protokoll, duke u paralajmëruar se në të kundërt nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë në ankand.
Në kallëzim argumentohet se ky veprim përbënte një devijim nga procedura e shpallur publikisht.
Për shkak të këtij paralajmërimi, ofertuesit kanë dorëzuar zarfet e mbyllura në protokoll, ku secilit iu vendos edhe numër protokolli.
Sipas kallëzimit, situata u bë edhe më problematike kur përfaqësuesit e operatorëve hynë në ambientin ku zhvillohej ankandi rreth orës 10:10. Në atë moment, një nga ofertuesit konstatoi se zarfi i tij ishte i hapur, ndonëse sipas tij ishte dorëzuar i mbyllur. Ky fakt u ngrit menjëherë përpara Komisionit të Ankandit, duke kërkuar verifikim të situatës.
Megjithatë, sipas pretendimeve të përfshira në kallëzim, Komisioni nuk e ndërpreu procedurën dhe nuk zhvilloi asnjë verifikim mbi rrethanat, por vendosi skualifikimin e ofertës me argumentin formal se zarfi ishte i hapur.
Sipas denoncuesve, kjo situatë ngre dyshime serioze për cenim të integritetit të ofertës, ndërhyrje të mundshme në dokumentacion dhe shkelje të parimit të barazisë dhe transparencës në procedurë.
Në dokument theksohet gjithashtu se, në rast se zarfi do të kishte qenë i hapur që në momentin e dorëzimit në protokoll, punonjësja e protokollit kishte detyrimin ligjor të evidentonte gjendjen e tij dhe të regjistronte përmbajtjen përkatëse, gjë që sipas kallëzuesve nuk ka ndodhur.
Sipas kallëzimit penal, gjatë procedurës Komisioni ka skualifikuar dy operatorë ekonomikë, ndërsa ka kualifikuar një person fizik, të cilit i është pranuar dokumentacion i paplotë.
Konkretisht përmendet një deklaratë e panoterizuar, e cila sipas ankuesve bie ndesh me kërkesat e dokumenteve të ankandit.
Në kallëzim argumentohet se kjo përbën trajtim të pabarabartë të pjesëmarrësve dhe element të mundshëm të shkeljes së barazisë në procedurë.
Në përfundim të ankandit, përfaqësuesit e operatorëve kanë kërkuar hartimin dhe nënshkrimin e procesverbalit të zhvillimit të procedurës.
Sipas kallëzimit, Komisioni ka refuzuar ta përpilojë dhe firmosë atë, duke deklaruar se ankandi konsiderohej i mbyllur dhe se palët do të njoftoheshin më vonë.
Ky veprim cilësohet nga denoncuesit si një tjetër shkelje procedurale dhe si përpjekje për të shmangur dokumentimin e kundërshtimeve të paraqitura gjatë procesit.
Në kallëzim kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e organit të akuzës për regjistrimin e procedimit penal dhe për kryerjen e disa veprimeve hetimore, mes tyre sekuestrimi i regjistrit të protokollit, i zarfeve fizike të ofertave, i dokumentacionit të subjektit të shpallur fitues, si dhe i procesverbaleve të komisionit.
Gjithashtu kërkohet sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë brenda institucionit, kryerja e ekspertimit teknik të zarfit për të verifikuar nëse ka pasur ndërhyrje fizike, marrja në pyetje e punonjëses së protokollit dhe e anëtarëve të komisionit, si dhe verifikimi i ligjshmërisë së dokumentacionit të subjektit të kualifikuar.
Në përfundim të kallëzimit theksohet se veprimet e përshkruara nuk përbëjnë vetëm shkelje administrative, por paraqesin elementë të mundshëm të veprave penale që cenojnë integritetin e procedurave publike dhe interesin publik, veçanërisht duke marrë parasysh se ankandi lidhet me përdorimin e një pasurie shtetërore me vlerë të konsiderueshme ekonomike.