Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Lushnje-Divjakë shpall planin e masave për të garantuar furnizim të pandërprerë me ujë gjatë verës 2025
Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve në Lushnje dhe Divjakë ka prezantuar një plan të detajuar masash për përballimin me sukses të sfidave të furnizimit me ujë gjatë stinës së verës 2025, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Me temperatura të larta dhe nevojë të shtuar për ujë, drejtoria garanton se qytetarët do të kenë ujë të pijshëm 24 orë në ditë.
Falë investimeve të qeverisë shqiptare dhe menaxhimit efikas nga drejtori Klajdi Shkurti dhe kryeinxhinieri Fred Gjermeni, sistemi i shpërndarjes së ujit në dy bashkitë funksionon pa ndërprerje. Shumica e familjeve në qytetin e Lushnjes dhe qendrat përreth kanë tashmë furnizim të rregullt, e njëjta situatë edhe në Divjakë, ku rrjeti është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit.
Drejtoria po punon intensivisht në terren për të mirëmbajtur dhe zgjeruar rrjetin e shpërndarjes. Rreth mijëra banorë në të dy bashkitë përfitojnë çdo ditë nga një shërbim cilësor dhe i vazhdueshëm. Ndërkohë, janë marrë masa për të shmangur lidhjet e paligjshme dhe për të parandaluar çdo abuzim në përdorimin e ujit të pijshëm.
Gjatë një vizite të kamerës së TV Apollon në zyrat e kësaj drejtorie, drejtori Klajdi Shkurti prezantoi shtatë pika kyçe që përbëjnë thelbin e planit të masave verore. Mes tyre përfshihen remontimi i stacioneve të pompimit, kontrolli periodik i paneleve elektrike, formimi i grupeve të gatshme për ndërhyrje si në Lushnje ashtu edhe në zonën bregdetare të Divjakës.
Masat përfshijnë gjithashtu mirëmbajtjen e baseneve ujore, verifikime të shpeshta të rrjetit shpërndarës dhe vendosjen e pompave rezervë në të gjitha stacionet për të përballuar flukset e verës. Sipas drejtorit Shkurti, të gjitha strukturat teknike janë në terren dhe në gatishmëri të plotë.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe bregdetit, duke garantuar që pushuesit dhe banorët sezonalë të mos përballen me mungesë uji. Shërbimi mbetet i pandërprerë dhe drejtoria është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët për çdo shqetësim të mundshëm.
Në përfundim, drejtori rajonal theksoi nevojën për kujdes nga qytetarët në përdorimin e ujit, duke kërkuar që të shmanget shpërdorimi dhe të tregohet përgjegjësi në këtë periudhë të ndjeshme. Ai falënderoi median për mbështetjen dhe qytetarët për bashkëpunimin konstruktiv.