Rënia e numrit të popullsisë në moshë pune thellohet për shkak të emigracionit dhe rënies së lindshmërisë, duke krijuar vështirësi të mëdha për bizneset në plotësimin e stafit. Ky fenomen prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të tjera në botë.
Fenomeni i plakjes së forcës punëtore është një çështje globale që po thellohet me kalimin e viteve. Sipas një analize të revistës “The Economist”, deri në vitin 2050 pritet që numri i personave në moshë pune (15-64 vjeç) të ulet me rreth 340 milionë në shkallë botërore. Rënia më e theksuar do të prekë kontinentet e Amerikës dhe Europës, si dhe vendet e mëdha aziatike si Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut. Përjashtim bëjnë vetëm disa vende në Afrikën Nënsahariane, ku lindshmëria mbetet e lartë dhe tranzicioni demografik pritet të ndodhë më vonë.
Në Shqipëri, efekti i këtij fenomeni është i dukshëm dhe matet qartë nga rezultatet e Censit të Popullsisë 2023. Popullsia në moshë pune ka rënë në mënyrë drastike, duke kaluar nga 1,903,987 persona në vitin 2011 në 1,555,080 persona në vitin 2023. Kjo përbën një ulje prej 18.3%, shumë më e lartë se ulja e përgjithshme e popullsisë prej 14% në të njëjtën periudhë.
Sipas INSTAT, tkurrja më e madhe e forcës punëtore ndodh në grupmoshat më të reja, veçanërisht nga 15 deri në 29 vjeç. Grupi 15-19 vjeç ka pësuar një ulje prej 46.8%, ndërsa grupi 20-24 vjeç është tkurrur me 41.2%. Edhe grupmosha 25-29 vjeç ka shënuar një rënie prej 24.9%. Kjo tendencë i atribuohet emigracionit masiv të të rinjve dhe rënies së lindshmërisë gjatë dekadës së fundit.
Në të kundërt, grupmoshat më të vjetra tregojnë një rritje të numrit të popullsisë në moshë pune. Sidomos grupi 60-64 vjeç ka një rritje të konsiderueshme prej 48.8%, ndërsa grupi 55-64 vjeç është rritur me 9.6%. Ekspertët theksojnë se kjo nuk është për shkak të një rritjeje të lindshmërisë, por për shkak të plakjes së të rinjve që kanë kaluar në këto grupmosha.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu ndryshime në shkallën e pjesëmarrjes në tregun e punës gjatë periudhës 2019-2024. Grupi 25-54 vjeç mbetet më aktiv, me një rritje të pjesëmarrjes nga 83.2% në 2019 në 87.6% në fund të vitit 2024. Pjesëmarrja e grupmoshës 55-64 vjeç është rritur ndjeshëm, nga 62.9% në mbi 75%, duke reflektuar një prani në rritje të punonjësve të moshuar në treg.
Në anën tjetër, të rinjtë 15-24 vjeç vazhdojnë të kenë pjesëmarrje të ulët dhe të paqëndrueshme në tregun e punës, duke luhatur nga 32% në 40%. Kjo reflekton sfidat e tyre për t’u integruar, që lidhen me arsimin, papunësinë, emigracionin dhe mungesën e mundësive adekuate.
Një zhvillim i rëndësishëm është edhe rritja e pjesëmarrjes në grupmoshën mbi 65 vjeç, ku në tremujorët e parë të vitit 2024 niveli ka arritur mbi 25%, krahasuar me rreth 14-16% në vitet 2019-2020. Për më tepër, pjesëmarrja në grupmoshën 20-64 vjeç ka shënuar rritje të qëndrueshme, duke kaluar mbi 81% në fund të vitit 2024, duke konfirmuar një tendencë të përgjithshme të angazhimit në tregun e punës.