Philip Griffin flet për zgjedhjet e 11 majit dhe paralelizmin me triumfin e Donald Trump në SHBA

Këshilltari i Chris LaCivita, Philip Griffin, parashikon fitoren e PD-së në zgjedhjet e 11 majit dhe thekson se SHBA kanë interes të madh për zgjedhjet në Shqipëri.

Philip Griffin, këshilltari i Chris LaCivita, ka bërë një paralelizëm të fortë mes zgjedhjeve të fundit në Shtetet e Bashkuara dhe atyre që do të zhvillohen në Shqipëri më 11 maj. Gjatë fjalës së tij në takimin përmbyllës të fushatës në Tropojë, Griffin theksoi se ngjarjet që kanë ndodhur në Amerikë, ku Donald Trump doli fitues përkundër tentativave të socialistëve për ta shkatërruar me anë të sistemit ligjor, janë të ngjashme me atë që po ndodh në Shqipëri ndaj kryedemokratit Sali Berisha.

Ai u shpreh se “Ne bëmë histori në Amerikë në nëntor. Ndoshta keni dëgjuar diçka për këtë. Në Amerikë, socialistët u përpoqën të shkatërrojnë Donald Trump-in duke përdorur sistemin ligjor. Por Donald Trump dhe populli amerikan nuk e lanë të ndodhte. Këtu në Shqipëri, socialistët po përpiqen të përdorin të njëjtat marifete. Dhe jam këtu për t’ju thënë se nuk do të kenë sukses as këtu.”

Griffin theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë shumë interes për Shqipërinë dhe për zgjedhjet që do të mbahen më 11 maj. Ai shprehu besimin se këto zgjedhje janë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe për lidhjet ndërkombëtare të vendit. “Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Historia do të shkruajë se kush bëri çfarë gjatë këtyre zgjedhjeve”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, Griffin apeloi për angazhimin e qytetarëve shqiptarë për të dalë dhe votuar, duke theksuar se populli amerikan bëri histori duke mos e lejuar që manipulimet dhe padrejtësitë të triumfonin. “Tani është koha që ju të bëni pjesën tuaj. Duhet të flisni me miqtë tuaj, me fqinjët, me familjen tuaj, duhet të bëni që të gjithë të dalin e të votojnë”, tha ai.

Griffin përfundoi me një mesazh të fuqishëm për shqiptarët: “Çdokush që është në miting tani, shikoni njëri-tjetrin në sy. Shikoni majtas-djathtas. Shikoni njëri-tjetrin në sy dhe duhet t’i bëni vetes pyetjen: A do ta bëjmë historinë së bashku? Përgjigjja ime është: Po, ne do të bëjmë histori.”

Ky apel i Griffin vjen si një nxitje për qytetarët shqiptarë që të angazhohen dhe të kontribuojnë në procesin e ndryshimit, duke mbështetur Partinë Demokratike dhe kandidatët e saj në zgjedhjet e 11 majit.

Ndaj Postimin: