Pezullohet aktiviteti i kompanisë së Gazmend Pajës, në pikëpyetje statusi i investitorit strategjik në Dhërmi

Gazmend Paja, aktor i programit kabaret “Portokalli”, ka vendosur të pezullojë aktivitetin e kompanisë përmes së cilës kishte përfituar statusin e “investitorit strategjik” për ndërtimin e një kompleksi turistik në Dhërmi, me vlerë rreth 14 milionë euro.

Më 19 janar 2026, Paja ka njoftuar Qendrën Kombëtare të Biznesit për pezullimin pa afat të veprimtarisë tregtare të shoqërisë “Echotec Energy Service”. Në dokumentacionin përkatës nuk jepen arsyet e këtij vendimi.

Kjo lëvizje ka rihapur pikëpyetje mbi procesin e shpalljes së Gazmend Pajës si investitor strategjik dhe mbi mënyrën se si projekti “Dhërmi Resort” u miratua nga institucionet shtetërore.

Gazmend Paja, i njohur publikisht si aktor, ka ushtruar paralelisht edhe aktivitet privat në fushën e beach-barit në zonën e Dhërmiut. Ai është gjithashtu i njohur për raportet e tij publike me kryeministrin Edi Rama dhe me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe për përfshirjen e tij në fushata elektorale për Partinë Socialiste.

Emri i Pajës është përmendur edhe në një dosje hetimore të Prokurorisë së Posaçme që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës. Prokuroria ka deklaruar se një apartament në zonën “Kodra e Diellit”, i përdorur më parë nga Paja, dyshohet se është përdorur për fshehje pasurie. Për këtë episod, Paja ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzat dhe ka përjashtuar veten nga çdo dyshim.

Statusi i investitorit strategjik për projektin “Dhërmi Resort” u miratua në vitin 2019 nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Rama. Projekti parashikonte ndërtimin e një kompleksi turistik në një sipërfaqe prej 133 mijë metrash katrorë në territorin e Himarës, përmes kompanive “Startek” dhe “Echotec Energy Service”.

Një nga këto kompani, “Echotec Energy Service”, rezulton në pronësi të Gazmend Pajës. Opozita dhe ekspertë të fushës së ligjit kanë ngritur dyshime se aktori mund të ketë shërbyer si përfaqësues formal për interesa të tjera politike, akuza që kanë mbetur në nivel deklarativ.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033