Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe mund të përballet me kufizime që ndikojnë në vijimin e detyrës.
Zëvendës Kryeministrja Belinda Balluku u paraqit të premten në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua zyrtarisht akuza për shkelje të barazisë në tendera, një dosje që lidhet me projektin e Tunelit të Llogarasë. Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme në hetimin e një prej veprave infrastrukturore më të përfolura të viteve të fundit.
Nëse ndaj Ballukut vendoset masa e sigurisë “ndalim ushtrimi i profesionit”, ajo nuk do të mund të vazhdojë detyrën si zv. kryeministre dhe ministre. Aktualisht, ajo vijon të mbajë funksionin në detyrë, pasi çdo ndryshim varet nga një vendim i gjykatës dhe jo thjesht nga çështja penale në vetvete.
Burime juridike theksojnë se pozicioni në qeveri është edhe një çështje politike, por në momentin kur vepra penale lidhet direkt me funksionin, organi i akuzës mund të kërkojë pezullimin nga detyra. Kjo është një masë që nuk nënkupton dënim, por përdoret për të shmangur ndikimin mbi procesin hetimor.
Një tjetër skenar i mundshëm lidhet me kufizimin e lëvizjes jashtë vendit. Nëse SPAK kërkon dhe gjykata vendos heqjen e pasaportës për Ballukun, kjo mund t’i pengojë asaj kryerjen e detyrës, veçanërisht pjesëmarrjet në takime ndërkombëtare dhe angazhimet zyrtare jashtë Shqipërisë.
Në rrethana të tilla, qeveria mund të përballet me të njëjtin precedent që u përmend në rastin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku mungesa fizike për shkak të masave të sigurisë ndikoi drejtpërdrejt në aftësinë për të ushtruar funksionin.
Debatet politike tashmë janë të ndezura, me opozitën që kërkon largimin e menjëhershëm të Ballukut nga detyra, ndërsa mazhoranca pret që gjykata të përcaktojë hapat e radhës. Çështja pritet të vijojë në ditët e ardhshme me seancën ku do të shqyrtohet masa e sigurisë.


