Në një shoqëri ku fjalët kanë fuqinë të ndriçojnë të vërtetën, shpesh ato përdoren për të hedhur dritë mbi manipulime dhe gënjeshtra.
Ata që ndërtojnë historitë e pavërteta synojnë më shumë të ndotin se sa të informojnë. Akuzat që shpifen janë të lehta, por zbardhja e së vërtetës është një proces që kërkon guxim dhe sakrifica. Kjo është ajo që Dasho Veizaj, i njohur ndryshe si “petalja e trëndafilit socialist”, ka dashur të theksojë pas një kallëzimi të bërë ndaj tij në SPAK.
Sipas Veizajt, akuzat e ngritura ndaj tij janë të pabaza dhe absurdë. Opozita, pas një periudhe prej shtatë muajsh, e ka gjetur përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve në Himarë, duke e shpallur atë shkakun e çdo të keqeje. Ata e akuzojnë se ka manipuluar të dhënat e vendbanimit për të votuar në këtë qytet, një akuzë që Veizaj e quan të pabesueshme dhe të sajuar. Ai thekson se ka qenë gjithmonë i regjistruar si banor i Himarës, dhe vota e tij ka qenë gjithmonë e ligjshme.
Për më tepër, Veizaj shprehet se ka lindur dhe është rritur në Borsh, por ka zgjedhur të jetojë dhe të kontribuojë në Shqipëri. Sipas tij, të tjerët mund të përpiqen ta shpifin dhe ta akuzojnë, por ai beson te drejtësia dhe është i gatshëm të përballet me SPAK-un, pasi e vërteta e tij është e pastër dhe nuk ka nevojë për mbrojtje. Ai flet gjithashtu për një tjetër aspekt të kësaj fushate shpifjesh, duke përmendur kandidatin “pseudo-shqiptar” që garoi në zgjedhjet e Himarës, të mbështetur nga individë që kanë përdorur qytetin për interesa të errëta.
Veizaj gjithashtu tregon se, që nga fjalimi i tij në Kuvendin Rinor Socialist, është quajtur me epitetet më ofenduese. Megjithatë, ai hedh poshtë këto sulme dhe tregon se këto janë dëshmi të varfërisë mendore të atyre që e kritikojnë. Në një mënyrë ironike, ata që e akuzojnë për të qenë “petale e trëndafilit socialist”, Veizaj i përgjigjet duke thënë se petalet e trëndafilit janë gjithmonë të bukura, ndërsa gjembat mund të shpojnë vetëm dorën e atij që i përdor.
Për Veizajn, e ardhmja e Shqipërisë ndodhet tek brezi i ri, tek ata që besojnë dhe luftojnë për të vërtetën. Ai thekson se nuk ka ikur nga Shqipëria për të kërkuar një të ardhme diku tjetër, por ka zgjedhur të qëndrojë dhe të punojë për një të ardhme më të mirë për vendin e tij. Ai e përmbyll këtë mesazh me një thënie të Migjenit: “Njeriu që s’di, asht një kafshë; por njeriu që din dhe s’ban, asht një tradhtar.”
Reagimi i Plotë
Në një botë ku fjala e lirë është një bekim, por edhe një përgjegjësi, disa zgjedhin ta përdorin atë jo për të ndriçuar të vërtetën, por për të hedhur hije mbi të. Ata që ndërtojnë gënjeshtra nuk kanë për qëllim të informojnë, por të manipulojnë. Dhe për këtë, nuk mund të kem asgjë tjetër përveçse përçmimit.
Të shpifësh është e lehtë, të ndërtosh të vërtetën është punë e mundimshme. Ata që i japin vetes të drejtën të luajnë rolin e gozhdës duhet të dinë se çekiçi i fakteve nuk i fal.
Kam lexuar këto ditë në media se opozita e paska gjetur pas 7 muajsh shkakun e humbjes së zgjedhjeve lokale në Himarë. Paska qenë vota ime. Ndërsa humbësi i importuar nga organizata Panepirote paska bërë një kallëzim ndaj meje në SPAK, duke pretenduar se unë paskam manipuluar të dhënat e mia të vendbanimit për të votuar në Himarë.
Po, e dëgjuat mirë – një akuzë që është jo vetëm qesharake, por edhe një dëshmi e varfërisë mendore të atyre që kërkojnë të më baltosin. Peçua nga Amerika më akuzon mua, që përveçse me rrënjë e me degë jam nga Borshi, po kam vendosur që gjithë jetën time ta jetoj në Shqipëri. Unë i besoj drejtësisë dhe i besoj SPAK-ut, sepse e vërteta ime nuk ka nevojë për zbukurime apo mbrojtje – ajo qëndron e pastër dhe e palëkundur.
Për ta bërë të qartë për të gjithë ata që duan të luajnë me fjalët: unë, që nga dita që kam lindur, kam qenë i regjistruar si banor i Himarës. Në Lushnjë kam ndjekur arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, por kjo nuk ka ndryshuar kurrë vendbanimin tim ligjor, i cili prej 19 vitesh ka qenë Himara. Kjo është e drejta ime legjitime si qytetar shqiptar dhe askush nuk mund të më mohojë atë që ligji e njeh si të drejtë.
Kam një emër – Dashnor Veizaj – dhe nuk kam nevojë të fshihem pas pseudonimeve apo epiteteve që shpik imagjinata e lodhur dhe e varfër e atyre që kërkojnë të më përbaltin. Por, siç thoshte Migjeni, “Njeriu që s’di, asht një kafshë; por njeriu që din dhe s’ban, asht një tradhtar.”
Në këtë rast, ata që e dinë të vërtetën dhe sërish zgjedhin të përhapin gënjeshtra, nuk janë as kafshë, as njerëz – janë thjesht shërbëtorë të errësirës.
E qeshura është përgjigjja më e mirë ndaj absurditetit! Don Kishoti do të qeshte me të madhe me këtë farsë. Të akuzosh një person që ka votuar në vendin e tij të regjistruar ligjërisht është qesharake – një absurd që vetëm një mendje e errët mund ta prodhojë. Faktet janë të thjeshta dhe të verifikueshme: unë kam qenë gjithmonë banor i Himarës dhe e drejta ime për të votuar atje nuk ka qenë kurrë e diskutueshme.
Por këtu vjen ironia më e madhe: në zgjedhjet e vitit 2024 në Himarë, përballë një kandidati shqiptar, garonte një pseudo-kandidat, një “kolloqithe”, i maskuar si mbrojtës i të drejtave të njeriut, por në realitet një marionetë e atyre që e përdorin Himarën për axhendat e tyre të errëta. Dhe ai garonte nën siglën e gërmadhës më të shpifur që ka njohur Shqipëria! A duhet të habitemi që ata që sot më sulmojnë ishin të njëjtët që mbështesnin këtë farsë politike?
Himara nuk harron! Nuk harron të kaluarën e saj, nuk harron persekutimet, nuk harron ata që kanë përdorur emrin e saj për interesa të errëta dhe, po ashtu, Himara nuk harron as “palikaret” që përpiqen ta quajnë Vorioepir.
Pas fjalës sime në Kuvendin Rinor Socialist, më kanë quajtur “këllirë”, “kalama i lig”, “vegël qorre e Partisë Socialiste” etj. Nëse ky është arsenali i argumenteve të tyre, më vjen keq për varfërinë e mendjes që e ka prodhuar. Por gjithashtu më quajnë “petale e bukur e trëndafilit socialist”?!
Ironia këtu është dyfishe: së pari, është një përpjekje e dështuar e humbësve për të shmangur problemet e brendshme, të cilat pas 11 majit vetëm do të thellohen. Por, në të vërtetë, një petale e një trëndafili mbetet gjithmonë e bukur, ndërsa një gjemb, nëse përdoret pa mençuri, nuk bën gjë tjetër veçse shpon dorën e atij që e mban. Pra, kujdes me metaforat!
Në Kuvendin Rinor të Partisë Socialiste unë kam thënë një të vërtetë të thjeshtë: Të rinjtë janë pjesa më e bukur e partisë sonë dhe e simbolit të saj. Kushdo që kërkon ta përdorë këtë si armë kundër meje, tregon vetëm paaftësinë e tij për të kuptuar rëndësinë e brezit të ri.
Dhe po, unë nuk ika nga Shqipëria – nuk ika për të kërkuar një të ardhme diku tjetër, por besova se kjo e ardhme mund të ndërtohet këtu, në vendin tim, me njerëzit e mi, për të cilët do të vazhdoj të luftoj.
Idealet e mia nuk i tradhtoj dhe as nuk i nxjerr në shitje, siç bëjnë shumica e atyre që më kanë “analizuar” dhe baltosur mua në portale e kanale. Ditën flasin për parime dhe natën gjurmojnë çdo shteg të mundshëm për të përfituar si xhambazë të vërtetë.