Pesë persona dyshohet se kanë mashtruar një kambist në Shkodër, duke i marrë shumën prej 40 mijë eurosh, ndërsa tre prej tyre janë arrestuar nga policia. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se është pjesë e rrjetit të drejtuar nga Florian Gjergji, i shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit.
Të arrestuarit janë Krenar Toromeni, Ilia Gjini dhe Artur Lecini. Ata dyshohet se kanë kontaktuar biznesmenin përmes aplikacionit Viber, duke përdorur një numër të paregjistruar, dhe janë prezantuar si miq të ngushtë të Tonin Marinajt, kryetar i bashkisë së Malësisë së Madhe.
Sipas kallëzimit, autorët i kanë kërkuar kambistit shumën prej 40 mijë eurosh, me pretendimin se paratë do t’ia dërgonin Tonin Marinajt dhe se shuma do t’i kthehej brenda pak ditësh. Biznesmeni ka deklaruar se ua ka dhënë paratë me mirëbesim.
Mashtrimi është zbuluar në mbrëmje, kur kambisti ka kontaktuar Tonin Marinajn për të pyetur nëse i kishte marrë paratë dhe ka kuptuar se bëhej fjalë për një skemë mashtruese. Pas kallëzimit në polici, autorët janë identifikuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të një biznesi pranë Rinasit, ku ishte kryer dorëzimi i parave.
Hetimet vijojnë për identifikimin e dy personave të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së grupit.