Pesë kompani kalojnë fazën e parë për mbikëqyrjen e projektit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit

Tenderi për mbikëqyrjen e punimeve elektro-mekanike vijon me fazën e dytë, pjesë e projektit të madh për rehabilitimin e linjës hekurudhore në Shqipëri

Të paktën pesë kompani kanë kaluar me sukses fazën e parë të tenderit për mbikëqyrjen e punimeve dhe të kontratave të furnizimit dhe instalimeve elektro-mekanike (E&M) në projektin e rehabilitimit të hekurudhës Vorë – Hani i Hotit. Emrat e këtyre kompanive u publikuan më 28 korrik në faqen e prokurimeve të BERZH, duke hapur rrugën për vijimin e fazës së dytë të këtij procesi.

Ky tender është pjesë e një projekti të gjerë që synon ndërtimin dhe përmirësimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore, e cila lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut, duke kaluar edhe kufirin në Hanin e Hotit drejt Malit të Zi.

Në listën e kompanive që kanë kaluar fazën e parë janë përfshirë disa konsorciume ndërkombëtare me përvojë, mes të cilëve ALTINOK – DMEC – IPSA Joint Venture nga Turqia, DB E&C – Typsa – Abkons nga Gjermania, Hill International N.V. – TUMAS Turkish Engineering Consulting & Contracting Co. – PLANET S.A. – SYSTEMA Consulting S.A. nga Holanda, JV SUEZ Consulting (SAFEGE) dhe Eptisa Servicios de Ingenieria S.L. nga Franca, si dhe SYSTRA – ARDANUY.

Vlera totale e projektit arrin në rreth 356 milionë euro dhe financohet nga disa institucione ndërkombëtare. BERZH ka dhënë hua prej 98.7 milionë eurosh, ndërsa Banka Europiane e Investimeve ka kontribuar me 100 milionë euro. Përveç tyre, Bashkimi Europian dhe buxheti shqiptar sigurojnë grantin e investimit prej 133 milionë eurosh.

Ky projekt është një pjesë e rëndësishme e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit kalon në territoret e shtatë bashkive shqiptare, duke shërbyer si një nyje kyçe për lidhjen infrastrukturore dhe duke rritur ndjeshëm kapacitetin transportues të rajonit.

Me avancimin e këtij projekti, pritet përmirësimi i shpejtësisë, sigurisë dhe efikasitetit të transportit hekurudhor në Shqipëri, një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës dhe integrimit më të mirë në sistemet europiane.

Ndaj Postimin: