Pas pothuajse një muaji përplasje mes banorëve të Rrjollit në Velipojë dhe policisë për ndërtimin e projektit turistik “Blue Borgo”, ka reaguar për herë të parë pronari i projektit, Bashkim Ulaj.
Reagimi është publikuar përmes kompanisë mediatike në pronësi të tij, ku theksohet se kompania “Gener 2” ndjen detyrimin të informojë opinionin publik me qartësi dhe transparencë.
Në deklaratë sqarohet se procesi gjyqësor i përfolur së fundmi nuk ka asnjë lidhje me perimetrin ku po zhvillohet projekti “Blue Borgo” dhe nuk ka lidhje juridike apo faktike me kompaninë.
Kompania shpreh shqetësim për situatën në terren, duke deklaruar se punonjësit janë përballur me tensione dhe tentativa sulmesh. Sipas reagimit, siguria e punonjësve është prioritet dhe çdo akt dhune duhet të trajtohet nga institucionet ligjzbatuese.
“Gener 2” falënderon Policinë e Shtetit për menaxhimin e situatës, duke theksuar se ndërhyrja ka shmangur incidente më të rënda dhe ka garantuar vazhdimin e punimeve në kushte të vështira.
Në përfundim, kompania thekson se projekti “Blue Borgo”, i zhvilluar nga shoqëria “Aba Blue Borgo” sh.p.k., është në përputhje të plotë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Ndërkohë, gjatë ditës janë raportuar përplasje mes banorëve dhe policisë, të cilat kanë degjeneruar në dhunë fizike dhe arrestime.