Përplasje verbale dhe tension në Theth mes përfaqësuesve të PD dhe policisë

Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia akuzojnë forcat e rendit për dhunë dhe pengesë gjatë ndërhyrjes së IKMT-së në zonën turistike

Situata në fshatin malor të Thethit ka marrë një tjetër kthesë të tensionuar pas ndërhyrjes së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që prej gjashtë ditësh po shemb ndërtime të paligjshme në zonë.

Dy zyrtarët e Partisë Demokratike janë përballur me forcat e rendit pranë zonës ku po kryheshin prishjet. Ata janë ndaluar nga policia që të kalojnë vijën e sigurisë, çka ka sjellë tension dhe përplasje të drejtpërdrejta mes palëve.

Në një nga videot që është bërë virale në rrjet, dëgjohet Luçiano Boçi t’i drejtohet një efektivi me fjalët: “Mos më kap me dorë!”, ndërsa ndaj një tjetri përdor fjalë fyese: “Legen, afrohu se qenke i fortë…!” Incidenti është shoqëruar me debate verbale dhe nervozizëm në prani të banorëve dhe mediave.

Bardh Spahia, nga ana tjetër, ka denoncuar ndërhyrjen si të dhunshme dhe politike, duke e quajtur aksionin një sulm ndaj komunitetit dhe pronës private, në një nga zonat më të ndjeshme turistike të veriut. Ai ka theksuar se IKMT dhe Policia e Shtetit po veprojnë me standarde të dyfishta dhe për interesa të qarta politike.

Ndërsa zyrtarët e PD-së pretendonin se donin të monitoronin procesin dhe të shprehnin solidaritet me banorët, policia ka argumentuar se masa e sigurisë u mor për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe për të mbrojtur rendin publik gjatë aksionit të shembjes së ndërtimeve të paligjshme.

Kjo përplasje vjen në një klimë të tensionuar politike, ku PD ka shtuar akuzat ndaj qeverisë për përdorim selektiv të institucioneve të kontrollit të territorit, ndërsa komuniteti lokal në Theth shfaq një shqetësim në rritje për mënyrën se si po ndërhyhet në një zonë të mbrojtur pa konsultim publik.

Reagimet politike dhe qytetare pritet të shtohen në ditët në vijim, ndërsa aksioni i IKMT-së, i mbështetur nga strukturat shtetërore, vijon me ritme të larta në një nga zonat më të vizituara të turizmit malor në Shqipëri.

Ndaj Postimin: