Një përplasje fizike është regjistruar mes disa të rinjve në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pas një debati verbal që më pas ka degjeneruar në dhunë.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti ka nisur mes disa personave për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, ndërsa dyshohet se në origjinë të tij mund të ketë qenë një vend parkimi. Pamjet e siguruara tregojnë momentin kur debati kalon nga fjalët në shtyrje dhe goditje fizike.
Gjatë përplasjes, disa prej të rinjve kanë shtyrë dhe goditur një tjetër person të përfshirë në konflikt. Pas incidentit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij.
Shkaqet e plota të konfliktit mbeten të paqarta, ndërsa nuk ka ende informacion nëse nga përplasja ka pasur persona të lënduar.