Përplasje mes një motomjeti dhe automjeti në Zhupan, një i plagosur

Një 63-vjeçar nga Fieri mbeti i plagosur pasi motomjeti që drejtonte pa leje drejtimi u përplas me një automjet në fshatin Zhupan.

Një aksident rrugor u regjistrua në fshatin Zhupan të Fierit, ku një motomjet pa leje drejtimi u përplas me një automjet, duke shkaktuar lëndimin e drejtuesit të motomjetit. Ngjarja ndodhi diën e djeshme dhe për pasojë një person u dërgua menjëherë në spital për trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në përplasjen e ndodhur u përfshinë 63-vjeçari Xh. R., banues në Fier, dhe 26-vjeçari J. I., drejtues i automjetit. Hetimet paraprake tregojnë se i moshuari që drejtonte motomjetin nuk ishte i pajisur me lejen e drejtimit.

Policia bëri të ditur se drejtuesi i motomjetit ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme ligjore.

Uniformat blu kanë theksuar se drejtimi i mjeteve pa leje është një ndër shkeljet më të rrezikshme të kodit rrugor dhe një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja në jetë e shëndet.

Policia u bën apel qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos marrin timonin pa dokumentacionin e nevojshëm, për të shmangur ngjarje të rënda dhe për të garantuar sigurinë e të gjithëve në rrugë.

Ndaj Postimin: