Dy grabitës të armatosur nga Shijaku u përplasën me armë me policinë pas një ndjekjeje, duke u rrethuar pranë një lokali dasmash në Vorë.
Ngjarja ndodhi pas një serie vjedhjesh dhe grabitjesh që nisën mbrëmjen e 20 gushtit në sektorin Rinia, ku një automjet u vodh dhe u raportua menjëherë te policia. Më pak se 24 orë më pas, me të njëjtin automjet, autorët kryen një grabitje me armë në një pikë karburanti në Sukth, duke marrë paratë e xhiros nën kërcënimin e kallashnikovit.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, policia mori njoftim për një tjetër tentativë grabitjeje në afërsi të Çifligut, ku dy persona të maskuar tentuan t’i merrnin me dhunë një automjet tip G-Class. Shoferi arriti t’u shpëtonte dhe informoi menjëherë autoritetet.
Patrullat e Durrësit pikasën automjetin e vjedhur dhe u përfshinë në një ndjekje të rrezikshme. Gjatë ndjekjes, grabitësit hapën zjarr ndaj policisë, e cila u detyrua të kundërpërgjigjej. Përplasja u zhvendos pranë Vorës, në rrethrrotullimin e mbikalimit, shumë afër një lokali ku po mbahej një dasmë.
Pas më shumë se 20 minutash rrethimi, Ardit Domi, 28 vjeç, u plagos dhe u transportua në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën. Lorenc Çali, 27 vjeç, u neutralizua dhe u arrestua në vendngjarje. Të dy janë banorë të fshatit Bilalas të Shijakut dhe njihen nga policia si kontingjent kriminal në fushën e vjedhjeve.
Forcat e policisë sekuestruan një armë automatike kallashnikov me dy krëhra fishekësh. Në operacion morën pjesë edhe njësi të DVP Tiranë për mbështetje. Dasmorët u ndihmuan të largoheshin të sigurt nga ambienti.
Hetimet për ngjarjen po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal të dy të arrestuarve.


