Përplasje makinash në Gjirokastër

Dy automjete u përplasën në Gjirokastër, njëra prej tyre doli nga rruga dhe u përplas me hekurat anësorë, ndërsa po hetohet për shkaqet

Një aksident rrugor u regjistrua paraditen e sotme në zonën e Gërhotit, në Gjirokastër. Dy mjete, një “Benz” dhe një “Nissan”, u përplasën në rrethana që ende po verifikohen nga autoritetet.

Pas goditjes fillestare, automjeti “Nissan” doli nga korsia dhe u përplas me barrierat metalike anës rrugës, duke shkaktuar dëmtime të dukshme në pjesën e përparme. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nëse ndonjë person ka mbetur i plagosur.

Burime pranë vendngjarjes bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet që shkaku të ketë qenë ndërprerja e rrugës nga drejtuesi i “Benz”-it, çka mund të ketë çuar në humbjen e kontrollit të automjetit tjetër.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit dhe përgjegjësinë e palëve të përfshira.

Banorët e zonës raportojnë se segmenti ku ndodhi përplasja ka një qarkullim të dendur mjetesh dhe shpesh është skenë incidentesh të ngjashme, duke ngritur shqetësime për nevojën e masave shtesë të sigurisë rrugore.

Ndaj Postimin: