Një aksident i rëndë u regjistrua pranë fshatit Kashtëbardhë në Lushnjë, ku dy automjete u përplasën frontal duke shkaktuar disa të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi këtë të enjte në afërsi të kryqëzimit të fshatit Kasharbardhë, në aksin rrugor të Bashkisë së Lushnjës. Përplasja mes një Audi me targa AB 526 RH dhe një Skoda me targa AA 128 US ishte shumë e fortë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Nga goditja e fuqishme mbetën të plagosur disa persona, të cilët u transportuan menjëherë drejt spitalit të Lushnjës. Burime spitalore bënë të ditur se gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.
Forcat e policisë rrugore dhe autoambulancat mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes. Policia nisi kqyrjen e detajuar të zonës dhe hapjen e hetimeve për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e aksidentit.
Sipas të dhënave të para, dyshohet se shpejtësia e lartë, lagështia në rrugë dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit kanë qenë ndër faktorët kryesorë që çuan në përplasjen mes automjeteve.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat, ndërkohë që ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët e zonës, ku ky segment rrugor është cilësuar prej kohësh si një pikë problematike për aksidentet.
Autoritetet kanë bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes më të madh në respektimin e rregullave dhe shpejtësisë, sidomos në kushte moti me lagështi që e bëjnë rrugën edhe më të rrezikshme.


