Debati për pagat e magjistratëve ka hyrë në një fazë të re përplasjeje institucionale, pasi Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë publikisht në mbështetje të gjyqtarëve, duke kundërshtuar ashpër retorikën e përdorur nga Kryeministri Edi Rama dhe duke paralajmëruar rrezik për cenimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata e Prokurorëve reagoi ndaj zhvillimeve të fundit dhe debatit publik që lidhet me gjykimin kushtetues mbi pagat e magjistratëve, duke theksuar se çdo diskutim publik mbi sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve.
“Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën e shoqatës, e cila i bashkohet argumenteve të paraqitura më herët nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese.
Shoqata e Prokurorëve thekson se çdo ndryshim ligjor që sjell regres në standardet e njohura më parë, përfshirë uljen e pagave të magjistratëve, përbën një cenim të drejtpërdrejtë të garancive kushtetuese. Sipas saj, pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe e Gjykatës Kushtetuese përbën një parim themelor në një shtet demokratik dhe duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes.
Në këtë kontekst, Shoqata shpreh besimin e saj të plotë se gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar, pa presione të jashtme apo instrumentalizim të opinionit publik, duke e cilësuar Gjykatën Kushtetuese si autoritetin e vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces.
Por reagimi i prokurorëve ka sjellë një përgjigje të ashpër nga Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një videoje “live” në rrjetet sociale ka shprehur “habinë” e tij ndaj qëndrimit të shoqatave të gjyqtarëve dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe ndaj mbështetjes që po marrin nga prokurorët.
Rama e cilësoi kërkesën për rritje pagash si të paprecedentë dhe unike në historinë europiane, duke pretenduar se bie ndesh me realitetin ekonomik dhe parimet e drejtësisë sociale.
“Jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve, në lidhje me një përpjekje që në këndvështrimin tim është e papranueshme për t’iu imponuar Kuvendit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes gjyqtarët”, deklaroi Rama.
Ai përdori një metaforë sportive për të përshkruar situatën: “S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Tymnajë populiste”.
Kryeministri shkoi edhe më tej, duke i sfiduar shoqatat e gjyqtarëve që, nëse dëshirojnë të japin gjykime politike, të regjistrohen si parti politike dhe të shpalosin platformën e tyre. Sipas tij, tentativa përmes Gjykatës Kushtetuese për të rritur pagat është një përpjekje për “të qenë ligji”.
“Ju kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ju kërkoni t’i rrisni pagat vetes me gjyq. Pagat tuaja janë paga më të larta, goxha më të larta se në rajon dhe të barabarta me një vend të BE-së si Greqia. Ju doni t’i rrisni me nga 2–3 mijë euro dhe në emër të çfarë?”, tha Rama.
Ai shtoi se nuk ka ligj apo kushtetutë që, sipas tij, u jep gjyqtarëve të drejtën për një rritje të tillë, duke i akuzuar për etiketime të padrejta dhe sulme publike ndaj qeverisë, mediave dhe institucioneve të tjera.
“Palë në gjyq jemi të gjithë, përveç jush. Ju duhet të garantoni ligjin për të gjithë, pavarësinë dhe paanësinë. Me këtë tentativë, ju doni të jeni ligji”, deklaroi Rama, duke theksuar se heqja e 37 milionë eurove nga buxheti i shtetit do të duhej të bëhej në kurriz të sektorëve të tjerë.
Përplasja mes qeverisë dhe trupës së drejtësisë, tashmë me prokurorët të rreshtuar hapur në krah të gjyqtarëve, ka thelluar ndarjen institucionale dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi kufijtë mes pushteteve, pavarësinë e drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen çështjet kushtetuese në diskursin publik.