Përplasja për aksionet e aeroportit të Vlorës

Biznesmeni Behgjet Pacolli është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës për çështjen e konfliktit të pronësisë dhe akuzave të ndërsjella me kompaninë 2A Group, lidhur me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli mbërriti paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas informacioneve të konfirmuara, ai është thirrur në kuadër të hetimeve që lidhen me kontratat dhe marrëdhëniet mes tij dhe kompagnisë “2A Group”, e drejtuar nga Valon Ademi. Ky i fundit ka depozituar një kallëzim ndaj Pacollit, ndërsa vetë Pacolli është njëkohësisht edhe kallëzues në të njëjtën çështje.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se aktualisht Pacolli po merret në pyetje nga prokurori Ndini Tavani. Hetimi synon të sqarojë pretendimet rreth ndarjes së aksioneve dhe mënyrës së administrimit të projektit të Aeroportit të Vlorës, një ndër investimet më të mëdha infrastrukturore në vend.

Pacolli zotëron 98% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës përmes kompanisë së tij “Mabco Construction S.A.”. Ndërkohë, “2A Group”, që pretendon pozicionin e aksionerit dhe bashkëinvestitorit në projekt, ka paraqitur akuza për shkelje të marrëveshjeve të brendshme dhe menaxhim të njëanshëm të projektit.

Kjo çështje ka kaluar kohët e fundit edhe në qendër të debatit publik dhe politik, ku disa aktorë kanë kërkuar transparencë më të madhe mbi procedurat e realizimit të koncesionit, cilësinë e punimeve dhe kontratat institucionale të lidhura me projektin.

Zhvillimet e fundit tregojnë se përplasja mes ortakëve nuk është thjesht konflikt biznesi, por ka marrë dimensione juridike dhe publike, duke u bërë një çështje që pritet të zbardhet në detaje nga hetimi.

Hetimet vijojnë dhe priten deklarata zyrtare pas përfundimit të marrjes në pyetje të biznesmenit Pacolli.

Ndaj Postimin: