Përplasja në Kuvend mes Berishës dhe Petro Koçit, rikthehen akuzat për zgjedhjet e 1996-ës

Petro Koçi i përgjigjet Sali Berishës pas akuzave në Kuvend, duke e quajtur “kampion të grushtit të shtetit dhe vjedhjes së votave”

Seanca parlamentare e së enjtes u shoqërua me një përplasje të fortë verbale mes kryetarit të PD-së, Sali Berisha, dhe deputetit socialist Petro Koçi. Berisha tha se “kartelet” e kishin larguar Koçin nga lista e kandidatëve për Kuvendin, duke e akuzuar si një zë të komanduar nga Partia Socialiste dhe pa asnjë ndikim real në politikë.

Petro Koçi reagoi ashpër, duke iu kthyer ngjarjeve të vitit 1996, të cilat i përshkroi si kulmi i dhunës dhe manipulimit elektoral nga ana e Partisë Demokratike. Ai e quajti Berishën përgjegjës kryesor për atë që e cilësoi “grusht shteti elektoral” dhe për përdorimin e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë.

“Ti, Sali, nuk ke asnjë të drejtë të flasësh për zgjedhje të lira. Je kampioni i manipulimeve dhe i dhunës institucionale. E mban mend çfarë i ke bërë krerëve të PS në Librazhd dhe Bulqizë? I masakruat me bandat që përdorje në çdo qendër votimi”, tha Koçi nga foltorja e Kuvendit.

Ai kujtoi edhe rastin e komisionerëve të Fierit, që sipas tij u dhunuan nga strukturat e PD-së gjatë zgjedhjeve, ndërsa përmendi rastin e Viktor Binajt, një përfaqësues i PS-së që u qëllua, por ndalimi i dhunës erdhi vetëm pas ndërhyrjes së ambasadorit italian.

Koçi akuzoi më tej Berishën për arrestimin politik të Fatos Nanos, duke e cilësuar atë një akt të pastër hakmarrjeje dhe goditjeje ndaj opozitës së kohës. “Ti e fute në burg një kundërshtar vetëm për arsye politike. Turp të kesh!”, përfundoi ai replikën e tij.

Kjo përplasje në Kuvend është një tjetër dëshmi e tensionit politik që po shoqëron klimën elektorale pas zgjedhjeve të 11 majit. Përballja mes dy figurave të njohura politike solli në vëmendje plagët e së kaluarës dhe rindezi debatet për standardet e demokracisë në vend.

Ndaj Postimin: