Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 10:00 në aksin Fier–Vlorë, pranë fshatit Panaja, ku dy automjete janë përplasur dhe kanë përfunduar jashtë rruge.
Në aksident janë përfshirë një mjet tip “Mercedes” dhe një mjet tip “Volkswagen Passat”, të cilat po lëviznin në drejtim të Vlorës. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se mjeti “Mercedes” i ka prerë rrugën automjetit tjetër, duke shkaktuar përplasjen.
Si pasojë, automjeti “Mercedes”, që drejtohej nga një femër, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar pranë një kanali, ndërsa mjeti “Passat”, që drejtohej nga një shtetas mashkull, ka përfunduar në anë të autostradës.
Katër personat që udhëtonin në të dy automjetet nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa dy prej tyre janë shoqëruar në spitalin e Vlorës për kontroll mjekësor. Dëmet materiale në automjete janë të konsiderueshme.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.