Në panairin e zhvilluar sot në qendrën administrative Perondi të Bashkisë Kuçovë, vëmendjen më të madhe e tërhoqi stenda tradicionale “Oda e Zonës së Kuçovës”. Kjo stendë u veçua për elegancën, origjinalitetin dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të zonës.
E rikrijuar me kujdes dhe dashuri nga nxënësit dhe mësuesit e shkollës së mesme të bashkuar “Llazar Kuli”, nën udhëheqjen e mësueses Envisa Ajazi, oda pasqyroi të gjitha elementet autentike të një ambienti tradicional shqiptar: qilima të punuar me dorë, rroba popullore, punime qëndistarie dhe vegla shtëpiake të vjetra.
Banorët e zonës u ndalën me interes të madh pranë kësaj stende, duke e konsideruar si një “udhëtim në kohë” që risjell për brezat e rinj kujtesën dhe krenarinë për trashëgiminë kulturore. Mësuesja Ajazi, në një prononcim për mikrofonin e TV Apollon, u shpreh se synimi kryesor ishte ruajtja e identitetit kulturor dhe edukimi i të rinjve me vlerat tradicionale të vendit.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


