Përmirësohet situata e përmbytjeve, bie niveli i prurjeve nga lumenjtë Vjosë dhe Seman

Situata e përmbytjeve në vend po shkon drejt përmirësimit, pasi është shënuar ulje e prurjeve nga lumenjtë Vjosë, Seman dhe Shkumbin. Si pasojë, uji ka nisur të tërhiqet nga sipërfaqet e tokave të përmbytura, duke lehtësuar ndjeshëm gjendjen në disa zona të prekura.

Mbrëmjen e së shtunës më problematike ishte situata në Mbrostar të Fierit, ku u angazhuan forcat e emergjencave civile dhe ministri i Mbrojtjes. Aktualisht, Vjosa dhe Shkumbini paraqiten me prurje të reduktuara, megjithëse në disa segmente ka ende dalje të ujit brenda argjinaturës. Forcat e ushtrisë janë tërhequr nga terreni pasi rreziku është zvogëluar.

Edhe pse qarku i Fierit nuk ishte ndër më të rrezikuarit nga vala e fundit e motit të keq, janë regjistruar disa probleme lokale, por pa dëmtime në infrastrukturën kritike apo në sistemet mbrojtëse të argjinaturave.

Vlorë, pas reshjeve të dendura të shiut, kanalet kulluese dhe ato të ujërave të larta janë përzier me dhera dhe materiale inerte që kanë ardhur nga prurjet e lumenjve. Përveç dherave, në rrjetin e kanalizimeve kanë përfunduar mbeturina dhe degë pemësh, të cilat më pas derdhen në detin Adriatik dhe Jon.

Autoritetet kanë konfirmuar se nuk raportohet për ndotje të ujërave të pijshëm, ndërsa po vijon puna për pastrimin e kanaleve kulluese dhe normalizimin e situatës në të gjitha zonat e prekura.

Ndaj Postimin: