Qindra hektarë tokë bujqësore në territorin e bashkisë Lushnjë vijojnë të jenë të përmbytura nga lumi Seman, ndërsa uji nuk është tërhequr prej katër ditësh nga disa fshatra të zonës.
Situata paraqitet më problematike në fshatrat Zhelizhan, Imsht, Mazhaj, Murriz, Çukas dhe Mëhallëz, ku niveli i ujit mbetet i pandryshuar dhe tokat bujqësore brenda argjinaturës së lumit vazhdojnë të jenë të mbuluara. Sipas banorëve, dëmet në bujqësi janë të rënda, pasi të gjitha kulturat e mbjella në fushë dhe në sera janë kalbëzuar nga qëndrimi i gjatë nën ujë.
Fermerët shprehen se nuk kanë asnjë mundësi për të larguar ujin nga tokat e tyre dhe fajësojnë bashkinë për mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese, të cilat sipas tyre nuk janë pastruar prej vitesh.
Ndërkohë, në oborret dhe banesat e zonës nuk raportohet prani e ujit. Lumenjtë Seman dhe Shkumbin vijojnë të qëndrojnë jashtë shtratit, ndërsa përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore brenda argjinaturave, duke rrezikuar humbjen e plotë të prodhimit për këtë sezon.