Përmbytjet në Fier, nivellet e lumenjve bien dhe situata stabilizohet

Në qarkun e Fierit, situata hidrometeorologjike ka shënuar përmirësim të dukshëm. Autoritetet raportojnë ulje të niveleve të lumenjve dhe rikthim të normalitetit në infrastrukturën kryesore.

Sipas informacionit, 80 familje janë goditur nga përmbytjet, përfshirë 4 banesa në Cerven dhe rreth 75 në Ferras. Deri tani janë evakuuar 8 familje, 7 prej të cilave në Ferras dhe 1 në Poçem, Mallakastër.

Akset rrugore, përfshirë ato nacionale dhe lokale, janë të hapura dhe pa pengesa, ndërsa furnizimi me energji elektrike vijon pa ndërprerje. Hidrovoret janë të gatshme dhe po monitorohen për t’u angazhuar në çdo moment që është e nevojshme.

Problemet më të mëdha kanë të bëjnë me furnizimin me ujë të pijshëm në Fier, pasi Stacioni i Pompimit në Kafaraj është i përmbytur nga lumi Vjosë. Ujësjellësi ka nisur shpërndarjen e ujit me autobotë për banorët e prekur.

Në aspektin hidrologjik, nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në ulje, dhe prurjet e lumit Vjosë në Urën e Mifolit gjithashtu kanë nisur të bien, duke treguar një përmirësim të situatës.

Për shkak të daljes së lumit Vjosë nga shtrati, janë përmbytur rreth 650-700 hektarë tokë bujqësore, duke përfshirë edhe tokë jashtë argjinaturave. Fshatrat më të prekura janë Poçem, Rromes, Varibop, Adë, Kashisht, Kafaraj, Cerven, Ferras, Qarrë, Martinë dhe Pishë-Poro.

Në bashkitë Lushnjë, Divjakë, Patos dhe Roskovec, ndonëse ka pasur ujë në tokat bujqësore, situata ka filluar të përmirësohet dhe uji është tërhequr.

Përgjegjësit vendorë dhe qendrorë janë në terren dhe po monitorojnë situatën për të siguruar normalizimin e plotë të saj.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033