Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, duke përdorur ironi ndaj akuzave politike që i janë drejtuar qeverisë për gjendjen e krijuar.
Përmes një reagimi publik, kreu i qeverisë ka shpërndarë pamje nga disa vende europiane, përfshirë Italinë, Greqinë, Kroacinë dhe Malin e Zi, të cilat janë prekur gjithashtu nga përmbytje si pasojë e reshjeve intensive. Krahas pamjeve, Rama shprehet me ironi: “Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”.
Prej dy ditësh, territori i vendit është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë sjellë përmbytje në disa zona. Situata më problematike paraqitet në qytetin e Durrësit, ku uji ka depërtuar në zona të banuara dhe ka shkaktuar dëme materiale.
Sipas të dhënave zyrtare, në zonat periferike të Durrësit janë përmbytur rreth 800 banesa dhe dhjetëra biznese. Në terren janë angazhuar strukturat e Emergjencave Civile dhe forcat e ushtrisë, të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj banorëve të prekur.
Reshjet e dendura kanë ndikuar edhe në procesin mësimor, duke bërë që në disa zona mësimi të mos zhvillohet për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe përmbytjeve.
Ndërkohë, opozita ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit dhe qeverisë, duke pretenduar se përmbytjet nuk janë pasojë vetëm e reshjeve, por lidhen me dështime në menaxhimin dhe infrastrukturën, akuza që qeveria i ka kundërshtuar.