Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë sjellë përmbytje edhe në fshatin Çerven të Fierit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore dhe duke rritur shqetësimin e banorëve.
Sipas banorëve, rreth një hektar tokë e mbjellë me elb është dëmtuar plotësisht nga uji, ndërsa shkak kryesor i situatës mbetet mosfunksionimi i kanaleve kulluese, punimet e të cilave janë ndërprerë pa u përfunduar.
“Dëmtime kemi, kemi mbjellë një hektar tokë me elb dhe tani iku. Kanali u bë vetëm deri në një pikë dhe u la. Pastaj thonë se e kanë fajin fshatarët. Ku të shkojë uji? Kryetarja shikon vetëm qytetin”, tha një banor për Report TV.
Një tjetër banor deklaroi se përmbytjet rrezikojnë edhe kultura të tjera bujqësore, përfshirë grurin dhe jonxhën, ndërsa mungesa e dëmshpërblimeve e rëndon edhe më shumë situatën.
“Jam shumë i rrezikuar. Grurë, jonxhë. Bagëtitë nuk i kam larguar, por halli im është toka. Kanali u nis dhe u la përgjysmë. Asnjëherë nuk kemi marrë dëmshpërblim. Një hektar tokë është nën ujë”, u shpreh ai.
Banorët e Çervenit kërkojnë përfundimin e menjëhershëm të punimeve në kanalin e fshatit dhe ndërhyrje nga autoritetet për parandalimin e dëmeve të mëtejshme, si dhe për vlerësimin dhe kompensimin e humbjeve të pësuara nga përmbytjet.