Përmbytje në Durrës, reshjet e forta sjellin evakuime dhe bllokime rrugore

Reshjet intensive të shiut kanë krijuar një situatë të vështirë në disa zona të qytetit të Durrësit, duke shkaktuar përmbytje, evakuime dhe probleme të theksuara në qarkullimin rrugor, përfshirë autostradën Durrës–Tiranë.

Në zonën e ish-Kënetës, një familje është nxjerrë nga banesa e saj për shkak të ujit që ka depërtuar brenda dhe është strehuar përkohësisht në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, në plazhin e Durrësit.

Sipas Prefektit të Qarkut Durrës, Emiljan Jani, situata mbetet e rënduar në disa zona urbane, edhe pse sistemet e shkarkimit të ujërave po punojnë me kapacitet maksimal. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet deri në stabilizimin e situatës, ndërsa njoftime janë shpërndarë edhe për nxënësit dhe stafet mësimore përmes kanaleve të komunikimit.

Probleme serioze janë evidentuar edhe në autostradën që lidh Durrësin me Tiranën, ku niveli i lartë i ujit ka sjellë defekte në disa automjete dhe ka vështirësuar ndjeshëm qarkullimin në segmente të caktuara.

Autoritetet vendore sqarojnë se reshjet kanë qenë më intensive nga sa parashikohej, pasi sinjalizimet meteorologjike flisnin për shi me intensitet mesatar. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen aty ku është e nevojshme për të minimizuar pasojat.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033