Për shkak të reshjeve të dendura të shiut të mëngjesit të së martës, Policia e Shtetit njoftoi se është përmbytur një pjesë e aksit të rrugës interurbane Tiranë–Durrës, konkretisht në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit.
Si pasojë e pranisë së lartë të ujit në të dy anët e rrugës, është e pamundur të qarkullohet me automjete në këtë segment.
Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se qarkullimi do të devijohet si më poshtë:
– Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës do të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe më pas nga aksi “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.
– Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe më pas në aksin “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
Policia apelon për drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të zbatojnë sinjalistikën rrugore.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe patrullat e përgjithshme po marrin masa për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e automjeteve.