Përleshje tragjike mes tifozëve në Chalkida

Një i ri 23-vjeçar humbi jetën pas goditjeve me thikë gjatë një përplasjeje të dhunshme mes dy grupe tifozësh rivalë në qytetin Chalkida të Greqisë.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, pasi mbrëmjen e djeshme në Chalkida një 23-vjeçar u vra me thikë në një konflikt të dhunshëm midis ultrasve. Ngjarja ndodhi në rrugën Lilantion, ku dy grupe tifozësh u përplasën fizikisht, duke shkaktuar kaos dhe panik.

Autoritetet bëjnë me dije se në konflikt morën pjesë tetë persona. Përveç viktimës, dy të tjerë mbetën të plagosur, por janë jashtë rrezikut për jetën. Dy nga të arrestuarit kanë marrë plagë gjatë përleshjes dhe ndodhen nën mbikëqyrje mjekësore.

Burime policore sqarojnë se i riu i vrarë dhe pesë nga të arrestuarit nuk figuronin më parë me precedentë penalë. Ndërsa një 19-vjeçar, i cili po ashtu u arrestua, rezulton i njohur nga policia si pjesë e një grupi kriminal. Ndërkohë, një i shtatë pjesëmarrës në ngjarje nuk është identifikuar ende dhe po kërkohet aktivisht.

Pas plagosjes, viktima u transportua në Spitalin e Halkidës me një automjet privat nga persona ende të paidentifikuar. Ai u la në hyrje të spitalit dhe ndonëse mjekët tentuan ta shpëtonin, i riu ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.

Zëdhënësja e policisë greke, Constantia Dimoglidou, konfirmoi se përleshja përfshinte dy grupe rivale ultrasish, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar motivin dhe rrjedhën e saktë të ngjarjes. Policia po shqyrton edhe mundësinë që konfliktet të kenë lidhje me ndeshje futbolli apo larje hesapesh mes tifozërive.

Ndërkohë, pak pas kësaj ngjarjeje, ndodhi një incident i dytë pranë Sheshit Eleftherias. Një 20-vjeçar u gjet i plagosur rëndë, i mbuluar me gjak dhe u dërgua menjëherë në spital. Ai ka fraktura dhe një plagë me thikë nën sy, por sipas burimeve të Protothema ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

20-vjeçari po trajtohet nën mbikëqyrjen e policisë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse dy incidentet kanë lidhje mes tyre dhe kush qëndron pas organizimit të këtij sulmi. Autoritetet greke paralajmërojnë se arrestimet e tjera janë të pashmangshme.

Ndaj Postimin: