Gaforrja blu po shkatërron sektorin e peshkimit në Karavasta duke dëmtuar rrjetat, larguar peshkun dhe ulur ndjeshëm të ardhurat.
Peshkatarët e Divjakës po përballen me një kërcënim serioz që prej nisjes së sezonit të gjuetisë në ujërat e lagunës së Karavastasë dhe detit të hapur: gaforrja blu. Kjo specie agresive, e pranishme prej vitesh në bregdetin shqiptar, po dëmton ndjeshëm aktivitetin e peshkimit në këtë zonë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Që në javët e para të sezonit, peshkatarët kanë raportuar një prani masive të gaforres blu në rrjetat e tyre, duke reduktuar sasinë e peshkut të kapur. Në shumë raste, kapja e peshkut është bërë e pamundur, pasi gaforrja e konsumon apo e tremb atë, duke mos lejuar futjen në zonat e zakonshme të peshkimit.
Situata është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të dëmeve që kjo specie u shkakton rrjetave të peshkimit. Materialet e përdorura nga peshkatarët po shkatërrohen, duke rritur kostot dhe ulur ndjeshëm fitimet nga ky aktivitet ekonomik tradicional.
Sipas vëzhgimeve të kryera gjatë procesit të kapjes, rezulton se rreth 80% e kapjes përbëhet nga gaforre, ndërsa vetëm 20% është peshk. Ky disproporcion tregon ndikimin e madh që gaforrja ka në ekosistemin lokal dhe në sigurinë ushqimore të komuniteteve që varen nga peshkimi.
Përballë kësaj situate, peshkatarët janë detyruar të marrin masa të pavarura për të kufizuar përhapjen e gaforres. Ata po tentojnë eliminimin e saj përmes tharjes dhe groposjes pas kapjes, por këto veprime nuk kanë dhënë efekt të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, specialistët e fushës pohojnë se mungojnë zgjidhje të qarta dhe të qëndrueshme për këtë problem. Përhapja e gaforres blu është kthyer në një fenomen të pakontrolluar, që kërkon ndërhyrje të koordinuar ndërinstitucionale dhe politika afatgjata mjedisore.
Në mungesë të ndërhyrjeve serioze dhe efektive, rreziku për sektorin e peshkimit në Karavasta mbetet real dhe i vazhdueshëm. Ndërsa peshkatarët luftojnë çdo ditë për të mbrojtur jetesën e tyre, zgjidhja duket ende larg.