Përgjimet zbulojnë skemë të gjerë korrupsioni në Ukrainë që përfshinte zyrtarë të lartë, biznesmenë dhe persona pranë presidentit Zelensky

Përgjimet telefonike të publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit në Ukrainë kanë nxjerrë në dritë një skemë të gjerë korrupsioni ku dyshohet se ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë, biznesmenë të fuqishëm dhe persona të afërt me presidentin Volodymyr Zelensky. Hetimet flasin për një “sistem kriminal” që kërkonte 10 deri në 15 për qind ryshfet nga çdo kontratë e kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore Enerhoatom, me një dëm ekonomik të vlerësuar nga 75 në 100 milionë euro.

Në një prej përgjimeve, biznesmeni Timor Mindich përshkruhet teksa transportonte 1.6 milionë dollarë në një kuti dore “si ato të laptopëve”, duke e mbajtur me vete në rrugët e Kievit. Bisedat e tij me ministrin e Energjisë, Herman Halushchenko, tregojnë një atmosferë lirie të plotë nga ndëshkimi, ndërsa në komunikime përmendet edhe vetë presidenti Zelensky. Asnjëri prej tyre nuk ishte i vetëdijshëm se po përgjohej nga ekipi i Inspektores Olena Shcherban, e cila deklaroi se hetuesit kishin arritur të depërtonin në “rrethin e ngushtë” të presidentit.

Sipas sipërmarrësve të sektorit të energjisë, ryshfetet nuk jepeshin gjithmonë në para të gatshme. Një firmë konsulence përdorej shpesh për të “maskuar” pagesat korruptive, ndërsa në disa raste zyrtarët ushtronin presion duke çuar kontrolle tatimore ndaj kompanive dhe duke vendosur gjoba shumë më të larta se minimumi. Në një episod tjetër, një donacion prej 1 milion eurosh për Kishën ishte devijuar pothuajse tërësisht për shpenzime përfaqësimi dhe komunikimi.

Në qendër të këtij sistemi dyshohet se qëndronte Andriy Yermak, shefi i kabinetit të Zelensky-t, i konsideruar si një person me ndikim të madh në strategjitë politike dhe financiare. Sipas Prokurorisë, Yermak hartonte taktikat e funksionimit të skemës, ndërsa Mindich merrej me tarifat dhe ndërmjetësimet.

Rrjeti i tyre mbështetej në dy elemente të fortë:
ligji i emergjencës së luftës, që rriti kompetencat e ekzekutivit
shumica parlamentare prej 254 deputetësh, një fuqi që asnjë paraardhës i Zelensky-t nuk e kishte pasur

Gjithashtu, disa figura shtetërore që dyshohet se kundërshtuan skemën u larguan ose u transferuan. Në listë përfshihen:
Yulia Svyrdenko, kryeministre
Gjeneral Valery Zaluzhny, i dërguar në Londër
Dmytro Kuleba, ish ministër i Jashtëm
Oleksandr Kubrakov, ish zëvendëskryeministër
Mykhailo Fedorov, i izoluar politikisht për kërkesat për transparencë
Rustem Umerov, shef i Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Një deputet i Radës ka deklaruar se “faji i Zelensky-t ishte se nuk i dëgjoi ata që paralajmëruan për vjedhjet”. Ndërkohë, në qershor, zëvendëskryeministri i atëhershëm Oleksy Chernishov u arrestua dhe më pas u lirua me garanci prej 2.9 milionë dollarësh. Ai akuzohej për shitje të tokës publike tek persona të lidhur me të, ndërsa hetuesit zbuluan se merrte para në dorë në zyrë, në zarfe për t ua dorëzuar bashkëshortes, madje edhe gjatë qëndrimit në një klinikë.

Ndryshe nga nofka “Che Guevara” që mbante, hetimi tregoi se për të “lufta” ishte e lidhur me prokurimet publike, jo me idealet për të cilat pretendonte se angazhohej.

Ndaj Postimin: