Përfundon operacioni në Ujin e Ftohtë, RENEA dhe BKH largohen nga zona

Forcat speciale RENEA dhe efektivë të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë tërhequr nga zona e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pas operacionit të zhvilluar gjatë kësaj të shtune.

Pas disa orësh prani në terren, mjetet e policisë janë larguar nga perimetri i sigurisë që ishte ngritur në zonë. Në vendngjarje janë parë efektivë të maskuar, ndërsa lëvizjet e shumta të policisë kanë tërhequr vëmendjen e banorëve.

Operacioni lidhet me shtatë urdhër-arreste të firmosura nga Prokuroria e Posaçme. Mes personave për të cilët është lëshuar masë sigurie është edhe Flodian Plaku, i akuzuar për vrasjen e Gentjan Bejtajt. Gjatë aksionit është raportuar se RENEA ka qenë në kërkim të Ervis Matodoshajt.

Sipas informacioneve paraprake, hetimet janë mbështetur edhe në zbërthimin e komunikimeve në platformën Sky ECC, nga ku dyshohet se janë evidentuar episode kriminale, përfshirë një vrasje dhe raste të trafikut të drogës. Po ashtu, burime paraprake flasin për persona të ndaluar edhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Pritet që Prokuroria e Posaçme të dalë me një njoftim zyrtar për detajet e operacionit dhe për masat e sigurisë të lëshuara.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033